Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ishte ashtu siç e përcolli shkurt përmes një njoftimi zyra e shtypit të socialistëve.
“Gjatë mbledhjes, anëtarët e grupit vlerësuan punën e bërë deri më tani në komisione, duke evidentuar arritjet, sfidat dhe prioritetet për javët e ardhshme. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua te shqyrtimi i rendit të ditës për seancën plenare te radhes”, thuhej mes të tjerash në njoftimin propagadistik që nuk thotë asgjë.
E vërteta është se mbledhja e sotme në fakt ishte një “gjyq” për Elisa Spiropalin, tregoi për Lapsi.al një burim brenda radhëve të ligjvënësve socialistë.
Revanshi i Belinda Ballukut
Në krye të goditjes së saj në sy të gjithë deputetëve ishte zv.kryeministrja Belinda Balluku. Me tone të ashpra ajo fshikulloi Spiropalin për keqmenaxhimin e seancës plenare të javës së shkuar ku u shkaktua kaos pasi mazhoranca futi me shpejtësi projektligjin për faljen e gjobave.
