Gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, organizatori Edison Lika komentoi nismën e deputetes socialiste Elisa Spiropali për hapjen e debatit në Partinë Socialiste, duke deklaruar se, sipas tij, deklaratat publike nuk mjaftojnë pa veprime konkrete.
Pa e përmendur Spiropalin me emër, Lika u shpreh se çdo përpjekje për t’iu kundërvënë qeverisë duhet të shoqërohet me qëndrime të qarta dhe të dukshme.
“Ne inkurajojmë këdo që i del para këtij regjimi. Ne kërkojmë nga SPAK hetimin e Ramës, si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar. Por ne nuk do të mjaftohemi as me deputetë që bëjnë gjasme sikur i dalin përballë partisë, por vijojnë të jenë brenda partisë. Ne kërkojmë që lëvizjet e kujtdo të jenë të qarta, të dukshme dhe në kohezion me kërkesat e sheshit”, deklaroi ai.
Komenti vjen pasi Elisa Spiropali njoftoi më herët gjatë ditës se kishte dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste një mocion për hapjen e debatit mbi një “marrëveshje të re për Shqipërinë”, duke theksuar se dokumenti synon të nxisë më shumë demokraci, përfaqësim dhe dialog brenda partisë.
Protesta qytetare vijoi me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit përsëritën kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe reagim institucional.
