Politologu Argjend Zejnaj, i ftuar në një studio televizive, tha se masat e BE-së i kanë shkaktuar shumë telashe Kosovës. Ai vë në dukje se masat nuk mund të hiqen pa ndihmën e Gjermanisë dhe Francës, që duhet të bindin vendet anëtare individualisht. Po ashtu Zejnaj thekson se me fitoren e Listës Serbe, situata mund të kthehet në pikën zero në Veri të Kosovës.
“Duhet të na krijojë mundësitë BE-ja që ne të plotësojmë kushtet, parakushti i parë është që të bëjë të mundur të përmbyllet BE në kuptimin si institucion, që të na njohë në tërësi dhe raportet e BE dhe institucioneve të tij të jenë më korrekte dhe neutrale, për qasjen që Serbia ka si penguesi kryesor i rrugës së Kosovës në këtë drejtim. Kam parasysh edhe mospërmbylljen e dialogut që e shkakton Serbia. Serbia na sulmon në vazhdimësi, me sulme të kohë pas kohshme, dhe me diplomacinë e saj, duke insistuar të na çnjohin.
Janë një mori veprimesh dhe mosveprimesh, që BE ia ka në domenin e saj, dhe nuk i materializon në të mirë të Kosovës, për t’ia bërë Kosovës rrugën më të lehtë drejt kësaj instance. Edhe anëtarësimin në Këshillin e Europës nuk na i mundësoi për shkak të disa kushteve. Patëm kushte dhe kështu besoj fatkeqësisht do kemi edhe në rrugën për anëtarësimin ne BE.
