Debat i ashpër mes Metës dhe Kryemadhit në GJKKO, gjykata ndërhyn për të qetësuar situatën

Data

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po shqyrtohet çështja ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, është shoqëruar me tensione dhe debate të forta mes dy të pandehurve.

Përplasja nisi pasi Meta deklaroi para gjykatës se nuk kishte dijeni për veprimet dhe komunikimet e Kryemadhit me persona të ndryshëm të përmendur në dosjen hetimore. Ai theksoi se nuk kishte asnjë informacion mbi mesazhet apo kontaktet që, sipas hetimit, lidhen me Kryemadhin dhe persona të tjerë të përfshirë në çështje.

“Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit. Ato historitë e mesazheve i di vetë ajo”, deklaroi Meta gjatë seancës.

Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Kryemadhit, e cila kundërshtoi pretendimet e ish-bashkëshortit dhe e akuzoi atë se po mbështetej në thashetheme dhe informacione të pavërtetuara.

“Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”, iu drejtua ajo Metës në sallën e gjyqit.

Debati u përshkallëzua më tej kur Kryemadhi përmendi edhe emrin e Tedi Blushi, i pranishëm në sallë, duke deklaruar se prej vitesh kishte duruar situata të ngjashme dhe duke shprehur pakënaqësinë e saj ndaj rolit të tij në raportet e brendshme të Partisë së Lirisë.

Për shkak të tensioneve në sallë, trupi gjykues ndërhyri duke paralajmëruar palët që të ruanin qetësinë dhe të respektonin rregullat e seancës.

Gjykata i tërhoqi vëmendjen Kryemadhit se në rast të përsëritjes së sjelljeve që pengojnë zhvillimin normal të procesit, ajo mund të largohet nga salla dhe të përballet me masa ndëshkuese procedurale.

Seanca vijoi më pas me shqyrtimin e çështjeve të tjera të dosjes dhe me paraqitjen e argumenteve nga palët në proces.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related