Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga akuzat për korrupsion drejt sulmeve ndaj protestuesve.
Sipas Bardhit, kreu i qeverisë po përdor një strategji për të ndryshuar fokusin e debatit publik, duke synuar që diskutimi të mos përqendrohet më te arsyet e protestës, por te pjesëmarrësit në të.
“Prej disa ditësh, Edi Rama ka nisur një fushatë të ethshme për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga korrupsioni i qeverisjes së tij te sulmet personale ndaj protestuesve. Denigron këdo, në mënyrë që të mos pyetet më ‘Pse po protestohet?’, por ‘Kush proteston?’”, shkruan Bardhi.
Deputeti demokrat shton se, sipas tij, kryeministri i shmanget përgjigjeve për akuzat konkrete duke u përpjekur të delegjitimojë kundërshtarët politikë dhe qytetarët që protestojnë.
Në reagimin e tij, Bardhi thekson se shkaku i protestave është korrupsioni dhe mënyra e qeverisjes, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit.
“Arsyeja e protestës është korrupsioni. Është Edi Rama. Kërkesa e protestës është dorëheqja e tij”, përfundon postimi i kreut të Grupit Parlamentar të PD-së.
