Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe ish-kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit 2025 në qarkun Durrës, Ilirjana Kuçana, deklaroi se pas zhvillimeve që lidhen me Belinda Ballukun, radha i vjen kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë televizive, Kuçana u shpreh se Rama po mbron me çdo kusht zv/kryeministren e pezulluar, pasi sipas saj, përmes saj po mbron veten dhe pushtetin e tij. Ajo komentoi edhe nismën e qeverisë për ndryshimet ligjore që synojnë kufizimin e pezullimit të zyrtarëve të lartë, duke e cilësuar atë si përpjekje për të penguar drejtësinë.
“SPAK ka trokitur në derën e Ramës dhe ai do bëjë gjithçka për ta penguar. Kushtetuta është e barabartë për të gjithë, përfshirë edhe politikanët. Nëse Rama nuk e ka kuptuar këtë pjesë, është problem i tij”, u shpreh Kuçana.
Sipas saj, ashtu siç u pezullua Balluku me vendim të GJKKO dhe u mor e pandehur nga SPAK, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me kryeministrin. Ajo theksoi se Rama nuk po mbron vetëm Ballukun, por po mbron veten, duke përmendur edhe dosje të tjera që sipas saj lidhen me qeverinë.
Kuçana e cilësoi këtë kabinet si “qeveria më e korruptuar”, duke përmendur kryebashkiakë të akuzuar, ministra të arrestuar dhe zyrtarë në hetim. Sipas saj, kryeministri po përpiqet të ruajë pushtetin me çdo mjet.
Lidhur me ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për Ramën në Bordin e Paqes, Kuçana u shpreh se ajo është një ftesë për Shqipërinë dhe jo për individin që mban postin e kryeministrit.
