Familja dhe të afërmit e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni në Maliq dhe më pas u shpall “Dëshmor i Atdheut”, kanë nisur një fushatë mbledhjeje fondesh në platformën GoFundMe për të mbështetur familjen e tij.
Sipas njoftimit të bërë publik nga të afërmit, familja Mekolli po përballet me vështirësi ekonomike pas ngjarjes tragjike që i mori jetën efektivit të policisë gjatë kryerjes së detyrës.
Enea Mekolli la pas bashkëshorten, një fëmijë vetëm 8 muajsh, si dhe prindërit e tij, të cilët tashmë përballen me pasojat e humbjes së rëndë.
Në mesazhin e publikuar në kuadër të fushatës, familjarët u bëjnë thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të kontribuojnë sipas mundësive për të ndihmuar familjen në këtë periudhë të vështirë.
Tragjedia bëhet edhe më e rëndë për familjen Mekolli pasi, sipas të afërmve, kjo nuk është humbja e parë që ata përjetojnë. Më herët, familja kishte humbur edhe djalin tjetër, gjithashtu efektiv policie, i cili ndërroi jetë pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Fushata e hapur në GoFundMe synon të sigurojë mbështetje financiare për rritjen dhe mirëqenien e foshnjës së mbetur pa babanë e tij, si dhe për të ndihmuar familjen të përballojë vështirësitë që kanë pasuar ngjarjen tragjike.
