Banorë të tre pallateve pranë shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në ish-Bllok janë shqetësuar nga projekti i ndërtimit të një kulle 16-katëshe.
Ata po organizohen për ta kundërshtuar ligjërisht projektin, pavarësisht se investitori thotë se gjithçka po bëhet sipas rregullave.
“Po shohim mundësitë e goditjes si nga ana administrative, ashtu edhe civile, të lejes së ndërtimit,” tha për Citizens.al avokati Redon Meksi, i cili po i përfaqëson ligjërisht banorët.
Avokati tha se komuniteti i zonës aktualisht është në pritje të kërkesave që i janë dërguar institucioneve për të zbardhur plotësisht çështjen.
Projekti është konceptuar nga studioja e arkitekturës “Focus Architecture” dhe po zhvillohet nga “A&E Develipment” e sipërmarrësve Gentian Parruca dhe Fatjon Alliu. Ai parashikon katër kate nëntokë dhe një total prej rreth 10 mijë metra katrorë ndërtim që ngrihet deri në 57.24 metra lartësi.
