Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 12 mars përpara Kuvendit të Shqipërisë.
Në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit, Berisha deklaroi se qëllimi kryesor i protestës do të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Ai theksoi se çdo protestë e opozitës do të ketë si objektiv largimin e kreut të qeverisë, duke e cilësuar situatën politike në vend si një moment për ndryshim.
“Shqiptarët të mblidhen më 12 mars për dorëheqjen e Edi Ramës. Çdo protestë do të ketë këtë objektiv”, u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve i ftoi qytetarët të vijojnë sipas tij betejën për largimin e qeverisë, ndërsa shtoi se ora e zhvillimit të protestës do të përcaktohet nga strukturat organizative të opozitës.
Thirrja e Berishës vjen në një moment tensionesh të forta politike dhe përplasjesh në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës.
