Kreu demokrat, Sali Berisha, u shfaq me një kapele blu të errët, ku të stampuar kishte numrin 1, që përkon me numrin që koalicioni ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ ka në fletën e votimit. Kjo shfaqje e Berishës ka tërhequr vëmendjen, nisur nga fakti se kreu demokrat nuk ka mbajtur kapele në asnjë prej fushatave elektorale. Duket se kreu demokrat ka bërë një sforco, ose një përpjekje për të imituar Donald Trump, Presidentin amerikan, që gjatë gjithë fushatës shfaqej me kapele të kuqe në kokë me simbolin e MAGA. Me kapelen në kokë, Berisha u shfaq në takimin elektoral me mbështetësit në Kamëz, nga ku paraqiti pjesë nga programi PD-së.
“Nuk ikën shqiptarët se donin të iknin, por ikën se ilaçet nuk i blinin dot në vendin e tyre, por ikën se kreditë nuk i paguanin dot në vendin e tyre, por ikën se shtëpitë nuk i blinin dot në vendin e tyre.
Dhe së fundi ikën dhe ikën sepse në një akt të pashembullt, qytetarët e Kamzës, qytetarët e Shqipërisë, që në vitin 2013 paguheshin më shumë se të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit, gjatë këtyre 12 viteve ranë poshtë e më poshtë. Gjatë këtyre 12 viteve u varfëruan çdo vit e më shumë. Gjatë këtyre 12 viteve, çmimet e mallrave, ushqimeve jetike u dyfishuan. E merrnin bukën me 400-500 lekë në vitin 2013, e marrin sot me 900-1000 lekë. E merrnin mishin me 7 mijë lekë, e marrin sot me 18 mijë lekë.
