Banorët që preken nga projekti TID në Durrës janë mbledhur sërish në protestë përpara Bashkia Durrës, duke kërkuar më shumë transparencë mbi fatin e banesave dhe pronave të tyre.
Protesta vjen vetëm një ditë pas një tjetër tubimi, ndërsa banorët shprehen se prej muajsh po përballen me mungesë informacioni dhe paqartësi lidhur me procedurat e projektit.
Një përfaqësi e tyre zhvilloi takim me drejtoreshën ligjore të bashkisë, Anila Roshi, e cila sipas banorëve ka sqaruar se po kryhet një rivlerësim i plotë i objekteve dhe statusit të tyre ligjor për të përcaktuar mënyrën e shpronësimeve.
Përfaqësuesja e banorëve, Entela Koja, deklaroi se kundërshtimi kryesor lidhet me prishjen e objekteve pranë amfiteatrit të qytetit.
“Ne nuk jemi për prishje dhe shpronësim aty ku nuk ka nevojë të prishet asgjë”, u shpreh ajo, duke shtuar se bashkia po verifikon ende prona që sipas saj duhej të ishin saktësuar që në fazën fillestare të projektit.
Sipas banorëve, pritet që Ministria e Kulturës të dërgojë një grup pune për evidentimin e pronave të prekura dhe shqyrtimin e rasteve që pretendohet se janë futur gabimisht në listën e objekteve për prishje.
Projekti TID parashikon transformimin e qendrës historike të Durrësit, përfshirë bulevardin “Epidamn”, zonën pranë amfiteatrit antik, muret bizantine dhe hapësirat pranë Torrës Veneciane.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 74 familje preken nga shpronësimet, ndërsa fondi i parashikuar për kompensim është rreth 315 milionë lekë. Banorët pretendojnë se vlerat e dëmshpërblimit janë shumë më të ulëta se çmimet reale të tregut dhe nuk u japin mundësi të sigurojnë një banesë tjetër.
