Banorët e prekur nga projekti TID protestojnë para bashkisë së Durrësit: Kërkojnë transparencë dhe takim me kryebashiaken

Data

Përfaqësues të familjeve që preken nga projekti TID janë rikthyer këtë të martë para bashkisë së Durrësit, duke kërkuar transparencë për vijimin e projektit dhe takim me kryebashiaken.

Shkak për reagimin e banorëve është bërë ndryshimi i projektit për restaurimin e objekteve të kultit, përfshirë kishën katolike, objekte të cilat më herët ishin parashikuar për prishje.

Banorët deklarojnë se mungesa e informacionit dhe ndryshimet në projekt kanë rritur pasigurinë për fatin e banesave të tyre.

Me një kërkesë të firmosur nga 20 familje, ata i janë drejtuar bashkisë së Durrësit për të kërkuar transparencë mbi procedurat dhe mënyrën e zbatimit të projektit.

Sipas tyre, projekti “mbivendoset mbi historinë” dhe synon zëvendësimin e banesave me ndërtime të reja shumëkatëshe.

“Do të vazhdojmë të kundërshtojmë prishjen e banesave tona”, u shprehën banorët gjatë protestës.

Përfaqësuesit e familjeve thanë se kanë kërkuar takim me kryebashiaken, por sipas tyre nuk kanë marrë përgjigje dhe kanë gjetur “dyert e mbyllura”.

“Është më e thjeshtë të takosh përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare sesa kryebashiaken”, deklaruan ata.

Banorët paralajmëruan se do të vijojnë kundërshtimin ndaj projektit dhe prishjeve të mundshme të banesave.

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi, deklaroi se projekti TID është ende në proces dhe se do të verifikohet çdo rast individualisht, si për vlerësimin financiar ashtu edhe për procedurat e ndjekura.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related