SPAK kërkon 3 vite burg për ish-kryebashkiaken e komanduar të Tropojës, Zyra Islamaj, për aferën e urës pranë shtëpisë së motrës

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë konkluzionet përfundimtare për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe ndërtuesin Rrok Gega, të akuzuar për korrupsion lidhur me një tender publik.

Gjatë seancës në gjykatë, prokurori i SPAK, Bledar Maksuti, kërkoi dënimin e Islamajt me 3 vite burg, me kërkesën që dënimi të konvertohet në 4 vite shërbim prove.

Për biznesmenin Rrok Gega, SPAK kërkoi 1 vit burg, me konvertim në 2 vite shërbim prove.

Sipas akuzës, Zyra Islamaj dyshohet për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ndërtuesi akuzohet për “korrupsion aktiv”.

Çështja lidhet me një tender publik në Bashkinë Tropojë, ku sipas SPAK, Islamaj i kishte kërkuar ndërtuesit Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, edhe pse kjo vepër nuk ishte pjesë e projektit të tenderuar.

Prokuroria pretendon se ish-drejtuesja e bashkisë kishte ndërhyrë personalisht tek ndërtuesi dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve për realizimin e urës.

Megjithatë, sipas dosjes hetimore, ura nuk është ndërtuar.

Gjatë procesit gjyqësor, kjo çështje solli debat edhe për kallëzimin e bërë nga deputetët demokratë Gazment Bardhi, Zef Hila, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani, të cilët u pyetën nga mbrojtja se përse kishin kallëzuar një fakt që nuk ishte realizuar.

Sipas raportimit nga seanca, deputetët janë përgjigjur se verifikimi i faktit ishte detyrë e Prokurorisë së Posaçme dhe jo e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related