Banorët e Arapaj kanë dalë sot në protestë, duke denoncuar një situatë që sipas tyre vijon prej muajsh dhe për të cilën pretendojnë se nuk kanë marrë zgjidhje nga policia.
Sipas banorëve, problemi lidhet me një familje fqinje dhe veçanërisht me dy të rinj që, sipas tyre, kryejnë manovra të rrezikshme me automjete në rrugët e zonës dhe krijojnë vazhdimisht tensione me komunitetin.
Banorët deklarojnë se kanë bërë mbi 20 ankesa në polici gjatë muajve të fundit, por pretendojnë se nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Një prej banoreve, Algerta Omeri, deklaroi se është kërcënuar dhe sulmuar me thikë nga fqinjët e saj, ndërsa pretendon se më pas është trajtuar si e dyshuar nga policia.
“Isha duke ikur për në punë. Më doli vajza bashkë me mamin e vet, më kërcënuan me thikë dhe më shkulën flokët”, u shpreh ajo.
Banorë të tjerë treguan se ndihen të pasigurt për fëmijët dhe për lëvizjen në rrugë, për shkak të manovrave që sipas tyre kryhen çdo ditë në zonë.
“Përnatë e përditë po shkojmë në polici dhe nuk po merret asnjë masë”, deklaroi një banore tjetër.
Një tjetër qytetar tha se situata është bërë e papërballueshme dhe akuzoi institucionet për mosveprim pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme.
