Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe u plagos një tjetër, Policia e Shtetit ka paralajmëruar masa më të forta ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Në një konferencë për mediat, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deklaroi se janë shtuar kontrollet dhe monitorimi në akset rrugore dhe në qendrat urbane.
Sipas tij, policia ka pajisur strukturat rrugore me mjete të reja teknologjike, përfshirë dronë, kamera, aparate për matjen e shpejtësisë, alkooltestues dhe drogëtestues.
Ai bëri të ditur se gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026:
- 1009 drejtues automjetesh janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi;
- 82 100 drejtues janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë;
- 27 000 drejtues janë gjobitur për parakalime të gabuara;
- rreth 60 000 persona janë ndëshkuar për përdorim celulari gjatë drejtimit, mosvendosje të rripit të sigurimit ose drejtim motomjeti pa kaskë;
- 160 000 masa administrative janë vendosur për parkime të gabuara.
Ziu theksoi se sjelljet agresive në rrugë mbeten një shqetësim serioz dhe paralajmëroi se çdo shkelje që rrezikon jetën e qytetarëve do të ndëshkohet maksimalisht.
Sipas statistikave të policisë, shkaku kryesor i aksidenteve mbetet shpejtësia tej normave të lejuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e viktimave janë këmbësorë, drejtues biçikletash dhe motomjetesh.
Policia sqaroi gjithashtu se patrullat nuk do të ndalojnë automjetet pa arsye në akset kombëtare, por çdo shkelje e konstatuar përmes pajisjeve teknologjike do të pasohet me masa administrative të regjistruara në sistemin elektronik shtetëror.
