“Balluku s’i shpëton dot burgut”, Luan Baçi për vendimin e GJK: Më 22 janar gjithçka përmbyset, s’ka organ drejtësie që e shpëton

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaron se zv/kryeministrja Belinda Balluku nuk mund t’i shmanget drejtësisë dhe se, sipas tij, përfundimi i çështjes do të jetë burgu.

Në një intervistë për emisionin “News 24 Fundjavë”, Baçi komentoi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi përkohësisht vendimin e GJKKO-së dhe i hapi rrugë rikthimit të Ballukut në detyrë.

Sipas deputetit demokrat, ky vendim është vetëm i përkohshëm dhe më 22 janar, kur pritet të zhvillohet seanca publike në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e ankimimit, vendimi do të jetë i kundërt.

“Në datën 22 janar është seanca për gjykimin e kësaj çështjeje dhe besoj se vendimi do të jetë krejt i kundërt nga ai i djeshmi”, u shpreh Baçi.

“Banda e saj festoi me fishekzjarre”

Baçi pretendon se pas vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese, persona të lidhur me Ballukun në Fier kanë festuar, duke e cilësuar këtë si tregues të frikës dhe përpjekjeve për të ndikuar procesin.

“Banda e hajdutëve të saj në Fier hodhën dje fishekzjarre. Socialistët po përpiqen t’i krijojnë një imazh të rremë se ajo ka të drejtë, vetëm për ta inkurajuar dhe për t’i dhënë kohë”, tha deputeti i PD-së.

Ai akuzoi mazhorancën se po bën gjithçka për të “pastruar” figurën e Ballukut, ndërsa kryeministri, sipas tij, po e mbron politikisht.

“Rama po e mban fort Ballukun, s’po e lëshon. Por unë besoj se ajo do të flasë”, deklaroi Baçi.

“E shoh vetëm në burg”

Deputeti demokrat u shpreh se Balluku, sipas tij, ka përgjegjësi të rënda penale dhe nuk ka asnjë institucion drejtësie që mund ta shpëtojë.

“Ballukun e shoh vetëm në burg. Nuk ka rrugë tjetër, sado që ta zgjasë. S’ka organ drejtësie që e shpëton”, theksoi ai.

Baçi shtoi se, sipas tij, Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen për arsye morale dhe se ekziston edhe rreziku i arratisjes.

“Po të kishte moral, do të jepte dorëheqje. Do të fitonte pikë te qytetarët, jo te socialistët e saj. Ajo ka futur duart kudo, me joshje, presione dhe blerje”, u shpreh deputeti.

Në përfundim, Luan Baçi ritheksoi bindjen se më 22 janar Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të kundërt, që sipas tij do të shënojë një kthesë vendimtare në këtë çështje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related