Arratisja e Altin Ndocit nga burgu i Durrësit po merr përmasa gjithnjë e më të rënda, ndërsa dalin dyshime serioze për një skenar të parapërgatitur deri në detaje. Avokati Romeo Kara ka hedhur akuza të forta, duke vënë në pikëpyetje rolin e stafit mjekësor dhe zbatimin e protokolleve të sigurisë.
Sipas tij, itinerari i ndjekur nga Ndoci nuk ishte aspak i rastësishëm. Nga spitali i Durrësit, ai u largua me një automjet luksoz tip Audi A7, duke kaluar në disa zona periferike dhe më pas duke hyrë në Tiranë, ku humbi gjurmët. Një rrugë e shkurtër, e studiuar dhe e përshtatshme për zhdukje të shpejtë.
Avokati Kara thekson se gjithçka nis që nga justifikimi për nxjerrjen e tij nga burgu. Sipas tij, rekomandimi mjekësor për dërgimin në spital është pika e parë ku është thyer zinxhiri ligjor.
“Dyshoj se kjo është një arratisje e parapërgatitur me saktësi. Stafi mjekësor që ka rekomanduar dërgimin në spital është komprometuar. Nëse ka pasur manipulim, ai ka nisur pikërisht aty,” u shpreh Kara.
Ai hodhi dyshime serioze mbi gjendjen shëndetësore të Ndocit, duke theksuar se pamjet e publikuara tregojnë një person në gjendje të plotë fizike.
“Nga mënyra si vraponte, nuk dukej aspak i sëmurë. Ai dukej në formë shumë të mirë fizike. Nuk kishte asnjë shenjë që justifikon një emergjencë mjekësore,” tha avokati.
Kara e cilësoi të papranueshme mënyrën se si është trajtuar përgjegjësia pas ngjarjes, duke kritikuar shkarkimin masiv të zyrtarëve të burgut.
“Zinxhiri mund të pezullohej për hetim, por jo të shkarkohen të gjithë pa dallim. Përgjegjësia është individuale. Nuk funksionon shteti me mllef,” u shpreh ai.
Sipas avokatit, për një person me rrezikshmëri kaq të lartë kriminale, protokollet janë të qarta dhe strikte, por në këtë rast ato janë shpërfillur plotësisht.
“Një person me disa vrasje në kurriz, edhe po t’i afrohesh një dritareje, do të tentojë të arratiset. Pa pranga, pa masa shtesë sigurie, kjo ishte ftesë për ikje,” deklaroi Kara.
Ai shtoi se nëse vërtetohet bashkëpunim mes personelit dhe të arratisurit, çështja nuk është më pakujdesi, por krim i organizuar.
“Nëse del që i gjithë zinxhiri ka qenë pjesë e kësaj historie, atëherë nuk flasim më për neglizhencë, por për krim të organizuar. Kush ka konsumuar vepër penale duhet të përgjigjet,” theksoi ai.
Në përfundim, avokati kërkoi hetim të thelluar mbi komunikimet e Altin Ndocit para arratisjes, duke e cilësuar këtë si çelësin e zbardhjes së plotë të ngjarjes.
“Duhet parë me kë ka komunikuar, drejtpërdrejt apo indirekt, si është marrë vendimi për nxjerrjen e tij nga burgu dhe kush e ka firmosur këtë. Pyetja kryesore është: pse u lejua të dilte, kur nuk kishte asnjë problem shëndetësor?” përfundoi Kara.
