Zv/kryeministres, njëkohësisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po i bëhen “mal” kallëzimet në Prokuroria e Posaçme (SPAK). Partia Demokratike çoi një tjetër dosje dje për Ballukun të cilën e akuzon se ka miratuar kosto 3 herë më të larta për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës. Dje në një deklaratë për median nga kryesia e Kuvendit kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u shpreh se Balluku firmosi për një kosto 8 milionë për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës ndërkohë që nga privati kushtonte 3 mln euro. “Vetëm me firmën e Belinda Ballukut mund të ndodhë që një projekt, i cili, kur ndërtohet nga shteti, nga KESH-i, kushton 8 milionë euro dhe kur ndërtohet nga private kushton 3 milionë euro.
Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës, kostoja e të cilit është fryrë në mënyrë fiktive, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 milionë euro. Rritje fiktive e kostos duhet të ketë ndodhur me shumë e shumë projekte të tjera në varësi të Belinda Ballukut apo ministrave të tjerë të qeverisë së Edi Ramës, por sot po sjell faktet për abuzimin me fondet publike në projektin energjitik të KESH-it. Nën varësi të Belinda Ballukut, KESH lidhi një kontratë për ndërtimin e impantit fotovoltaik të digës së Zadejës për 8.13 milionë euro ose sa 97% e fondit limit. Është bërë krejt e zakonshme për qeverinë e Edi Ramës që fituesit e tenderave janë të paracaktuar dhe nuk kursehet pothuajse asgjë.
KESH-i e lidhi këtë kontratë 2-3 herë më të shtrenjtë sesa vlera reale e punimeve të saj, në gusht të vitit të kaluar, pasi projekti kishte marrë miratimin paraprak të Belinda Ballukut. Sipas ligjit, Ministrja e Energjitikës ka detyrimin e njohjes së çdo projekti të tillë shtetëror ose privat, për të cilin jep miratimin ose e refuzon atë. Në këtë rast, Belinda Balluku e ka miratuar projektin shtetëror për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës, duke vënë firmën në një projekt që doli në tender me vlerë 8.3 milionë euro, kur ndërkohë, një projekt tjetër, thuajse binjak me këtë shtetërorin, u kushtoi investitorëve privatë jo 8 milionë euro, por vetëm 3 milionë euro”, tha Bardhi.
Skandali
Bardhi thotë se kostoja është fryrë me dijeni të Belinda Ballukut, si përfituesja fundore e dëmit rreth 5 milionë euro që sipas tij i shkaktohet shtetit. “Partia Demokratike i ka vënë në dispozicion SPAK-ut dokumenta që provojnë se njëra nga kompanitë fituese në projektin shtetëror të impinatit fotovoltaik prej 8 milionë eurosh, kur ka realizuar projekte për privatë, projekte akoma më të ndërlikuara se ai i KESH-it, e ka nxjerrë çmimin 365 mijë euro për Megavat. Ke njëjta kompani, kur ka punuar për KESH-in e Belinda Ballukut dhe Ergys Verdhos e ka nxjerrë çmimin gati tre herë më të lartë, rreth 985 mijë euro për megavat.
Cili është shpjegimi që e njëjta kompani, i njëjti projekt, madje edhe më i vështirë, kur paguhet nga privati, kushton gati 3 herë më pak se projekti shtetëror? Ka vetëm një shpjegim. Tek privati nuk vidhet. Në shtet, tek Ministria e Belinda Ballukut, me firmën e saj, me klanin e saj, vidhet rëndshëm. Vidhet gati 3- fishi i projektit. Në dokumentet që ia kam dorëzuar Prokurorisë së Posaçme disa ditë më parë kam vënë në dukje se Belinda Balluku, si Ministre, dhe Ergys Verdho, si drejtor i KESH-it, e kanë lejuar këtë dëm ekonomik me vetëdije dhe me dashje të plotë, pasi ata kanë patur informacion për diferencën e madhe të çmimit, rreth 5 milionë euro. Në të paktën dy herë, ligji ngarkon Ministren të japë miratimin paraprak për ndërtimin e projektit dhe, më pas, t’i propozojë qeverisë miratimin e tij përfundimtar.
