Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka mbajtur fjalën e tij në konferencën për Sistemin e Matjes së Performancës së Bashkive, ku ka prezantuar edhe gjetjet kryesore. Ministri u shpreh se bashkitë shqiptare kanë shënuar progres në menaxhimin financiar, shërbimet publike dhe mirëqeverisjen, duke u afruar sipas tij me standardet europiane.
Demo u shpreh se të ardhurat nga burimet e veta të bashkive janë rritur. Ai shtoi se ky është një tregues i administrit më efikas vendor.
“Të ardhurat nga burimet e veta të bashkive kanë arritur në 44.4 miliardë lekë në vitin 2024, duke u trefishuar krahasuar me vitin 2015. Të ardhurat nga taksa e pasurisë janë rritur me 84.6%, nga 3.9 miliardë lekë në vitin 2015 në 7.2 miliardë lekë në vitin 2024”, u shpreh Demo.
Ministri nënvizoi se detyrimet e prapambetura të bashkive janë ulur nga 12 miliardë lekë në vitin 2015 në vetëm 3.1 miliardë lekë në vitin 2024, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt disiplinës fiskale dhe menaxhimit të shëndoshë financiar.
Në fushën e shërbimeve publike, Demo veçoi progresin në sektorin e arsimit parashkollor, ujitje-kullimit dhe menaxhimin e mbetjeve.
“Mbulimi i kostos së shërbimit të mbetjeve u rrit nga 68% në 2023 në 83% në 2024, ndërsa raporti fëmijë-mësues në kopshtet dhe çerdhet po i afrohet mesatares së BE-së”, tha ai.
Duke folur për Grantin Bazuar në Performancë, Demo e cilësoi atë si një instrument transformues për pushtetin vendor.
“Sot të 61 bashkitë e vendit janë të pajisura me dokumente planifikimi strategjik dhe gati për projektet e fondeve europiane. Ky mekanizëm nuk është thjesht financim, por një ushtrim real europian”, shtoi ministri.
Demo njoftoi gjithashtu nisjen e bashkëpunimit me INSTAT dhe institucionet e tjera për ngritjen e një sistemi të integruar të të dhënave vendore, që do të shërbejë si bazë për vendimmarrje dhe matje të performancës në vite.
“Hapi i parë i një objektivi madhor. Për një vendimmarrje bazuar në të dhëna. Kjo vendimmarrje nuk ka lidhje vetëm me performancën, por edhe kur flasim për një qasje multiinstitucionale”, tha Demo.


