Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se strategjia e opozitës nuk ka asnjë lidhje me vendimin që pritet të japë Gjykata Kushtetuese më 22 janar për çështjen e Belinda Ballukut.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese se, nën presionin e kryeministrit Edi Rama, ka marrë një vendim që i ka dhënë mundësi Ballukut, sipas tij, të manipulojë dosjen hetimore dhe provat.
“Strategjia e opozitës nuk ka lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo shënoi një kapitull të zi në historinë e drejtësisë në Shqipëri, kur anuloi një vendim që, sipas ligjit, mund të shqyrtohej vetëm nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Lartë. Gjykatat nuk janë ndërtuar për t’i marrë pushtetin njëra-tjetrës në mënyrë puçiste. Por nën presionin e Edi Ramës, Gjykata Kushtetuese mori një vendim që i dha mundësi Belinda Ballukut të kryente manipulime monstruoze të dosjes,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se opozita do të vijojë qëndrimin e saj politik pavarësisht vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar procesin si të ndikuar politikisht.
