Avokati i Ervin Salianji, Ledio Braho ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me dosjen që deputeti u dënua me 1 vit burgim, për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Ai thotë se këtë çështje e ka ndjekur që prej vitit 2018 e deri në ekzekutimin vullnetar të një vendimi penal që e dënoi pa ligj. Kjo, për shkak se sipas tij, që në kohën e Romës së lashtë nuk ka kallëzim të rremë pa patur një herë kallëzim.
Ledio Braho thotë se dosja është unike për nga numri i fashikujve, pasi nuk ka asnjë provë të vetme që mund të ngarkojë me përgjegjësi penale Ervin Salianjin, por megjithatë rezultati është një dënim pa fakt dhe provë.
Avokati paralajmëron ankimim të çështjes në shkallët e tjera të gjyqësorit, ku shkruan se diku në një gjykatë, qoftë edhe ndërkombëtare, do gjenden disa gjyqtarë që denoncimin publik të një deputeti të opozitës, do e konsiderojnë gur themeli të demokracisë dhe jo fakt penal.
Ledio Braho e konsideron si një mik Ervin Salianjin, teksa sipas tij, aty ku drejtlsia vonon, miqtë qëndrojnë.
