Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka deklaruar se rasti i Belinda Ballukut përbën një skandal të përmasave kombëtare dhe se pezullimi i saj nga detyra nuk është një masë e mjaftueshme për shkeljet e pretenduara. Sipas Balliut, ministrja e Infrastrukturës dhe zv.kryeministrja e pezulluar do të përballet me drejtësinë dhe, siç u shpreh ai, “do të përfundojë në burg”.
Në një intervistë për News24, Balliu theksoi se ishte Partia Demokratike ajo që, përmes kallëzimeve të saj, e çoi çështjen Balluku në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ai nënvizoi se pa denoncimet e opozitës, askush tjetër nuk do të guxonte të ngrinte kallëzime për këto afera.
“Çështja Balluku doli falë kallëzimeve të PD. Asnjë tjetër nuk guxonte të çonte kallëzime. Mund të tentohej të zvogëlohej skandali duke u fokusuar vetëm te energjetika apo te dy drejtorë, por korrupsioni i Ballukut është kombëtar”, u shpreh Balliu.
Sipas deputetit demokrat, Balluku ka pasur në dorë rreth 70% të buxhetit të shtetit, çka, sipas tij, e bën edhe më të rëndë përgjegjësinë politike dhe penale. Ai akuzoi qeverinë se ka tentuar të mbrojë ministren e saj dhe të zbehë denoncimet, ndërsa shtoi se PD ka ngritur zërin dhe ka krijuar një front të fortë kundër korrupsionit.
“Kjo zonjë u mbrojt për një kohë të gjatë dhe u përpoqën të krijonin një mur heshtjeje ndaj denoncimeve. Por e vërteta doli dhe drejtësia do të flasë”, përfundoi Balliu.
