Kthimi i Shqipërisë në një destinacion, që po bën xhiron e rrjeteve sociale, ka zgjuar interesin e shumë të huajve.
Këta të fundit janë aktivë në grupe të rrjeteve sociale, disa si vizitorë që kanë bërë rezervime konkrete, disa si potencialë pasi po mendojnë seriozisht të vizitojnë Shqipërinë në vijim dhe të tjerë që duket se janë thjesht kureshtarë.
Në grupin më të madh në rrjetin social Facebook “Visit Albania” që ka 261 mijë ndjekës dhe që shërben si një komunitet i madh që ndihmon turistët me detaje të rëndësishme për destinacionin mund të hasësh mes shumë kërkesave të arsyeshme edhe nga ato të çuditshme.
Mënyra sesi funksionon transporti publik, çmimet, plazhet dhe itineraret më të mira për t’u përshkruar janë më të zakonshmet teksa nuk mungojnë pyetjet e kërkesat specifike.
Në forume vihet re që turistët vijnë me idenë për të shpenzuar sa më pak në Shqipëri, si rrjedhojë edhe e reklamimit që i është bërë vendit si një destinacion me kosto të ulët.
