Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) rreth 30 vite nga krijimi nuk ja doli që të përfundojë regjistrimin e pasurive kulturore të Shqipërisë dhe për shumicën e kompetencave është jashtë funksionit me pretekstin se pret miratimin e akteve nënligjore
Një Vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 1995 mundësoi krijimin e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, që e nisi rrugëtimin si një projekt i Bankës Botërore, me qëllim dokumentimin e të gjitha pasurive kulturore të Shqipërisë.
Pas miratimit të ligjit të ri në vitin 2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ky institucion i kulturës u transformua në Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).
Misioni i tij lidhet me regjistrimin e trashëgimisë kulturore në pronësi private dhe shtetërore, si edhe mundësimin e lëvizjes së tyre në mënyrë zyrtare. Megjithëse është qëllimi bazë i Institutit, ai nuk ka mundur ende të krijojë një panoramë të plotë të pasurive kulturore në gati 30 vite.
“Nuk ka statistika zyrtare se sa mund të jetë totali i pasurive kulturore që ekzistojnë”, u përgjigj zyrtarisht Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK). “Regjistrimi i pasurive kulturore është një punë që vijon që nga viti 1995”, shtoi përgjigja.
