Qeveria vijon ndryshimet në Ministrinë e Brendshme: Shkarkohet edhe zëvendësministri Julian Hodaj

Data

Pas shkarkimit të zëvendësministrit Andi Mahila, Këshilli i Ministrave ka vendosur të lirojë nga detyra edhe një tjetër numër dy në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, qeveria ka miratuar lirimin nga detyra të Julian Hodajt, i cili mbante postin e zëvendësministrit që prej 9 tetorit 2017.

Vendimi është marrë me propozim të Kryeministrit dhe bazohet në nenin 100 të Kushtetutës, si dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”. Sipas njoftimit zyrtar, lirimi nga detyra hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.

“Z. Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren Zyrtare’”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ky është shkarkimi i dytë brenda një periudhe të shkurtër në nivelet drejtuese të Ministrisë së Brendshme. Pak muaj më parë, qeveria shkarkoi nga posti i zëvendësministrit edhe Andi Mahilën, pas një denoncimi të ardhur nga një qytetar shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas denoncimit, Mahila kishte tymosur cigare në ambientet e një restoranti gjatë një vizite në New York, duke shkaktuar shqetësim te të pranishmit. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, njoftoi largimin e tij nga detyra përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se pas verifikimit të rastit kishte vendosur shkarkimin.

Vendimet e fundit tregojnë një riformatim të strukturave drejtuese në Ministrinë e Brendshme, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje mbi arsyet konkrete që çuan në lirimin nga detyra të Julian Hodajt, apo nëse do të ketë emërime të reja në këto pozicione.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related