Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbrojtur në Parlamentin Europian qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me projektet në Zvërnec dhe aeroportin e Vlorës, duke deklaruar se investimi në zonën e Zvërnecit nuk ka marrë ende leje ndërtimi dhe se do t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Gjatë diskutimeve, Balla u ndal fillimisht te aeroporti i Vlorës, duke theksuar se në atë zonë ka ekzistuar më parë një aeroport i ndërtuar nga italianët. Sipas tij, ndërtimi i aeroportit të ri është një nevojë strategjike për jugun e Shqipërisë dhe kundërshtimet ndaj projektit nuk lidhen me aspektet mjedisore, por me konkurrencën rajonale.
“Në jug të Shqipërisë nevojitet një aeroport. Lufta kundër aeroportit të Vlorës nuk ka të bëjë me çështjet mjedisore, por me konkurrencën. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi mundësi të fluturojmë nga Vlora drejt Strasburgut”, u shpreh ai.
Balla ftoi eurodeputetët të organizojnë një mision faktmbledhës në Shqipëri për të parë nga afër situatën në terren.
“Do t’ju ftoja të vinit të realizonit një mision faktmbledhës, jo për të marrë ‘like’, por për të parë nga afër si është situata në Zvërnec dhe në zonën ku po ndërtohet aeroporti”, deklaroi ai.
Duke iu referuar projektit të resortit në Zvërnec, Balla tha se sipërfaqja ku parashikohet investimi është pronë private dhe se procedurat ligjore nuk kanë përfunduar ende.
“Nuk ka leje të dhënë ende për ndërtimin. Vlerësimi i ndikimit në mjedis do të analizojë efektet e mundshme mbi habitatet dhe burimet ujore, ndërsa do të ketë transparencë me komunitetin lokal”, theksoi ai.
Sipas Ballës, objektivi i qeverisë është zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe krijimi i vendeve të reja të punës, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e mjedisit.
Ai solli në vëmendje edhe politikat e ndërmarra për mbrojtjen e biodiversitetit, duke kujtuar se Shqipëria vendosi moratoriumin e gjuetisë në vitin 2014 për mbrojtjen e flamingove dhe se mbi një e pesta e territorit të vendit është zonë e mbrojtur.
Në përfundim, Balla theksoi se lufta kundër dezinformimit është një sfidë e përbashkët për institucionet demokratike.
“Lufta më e madhe për demokracinë është lufta kundër dezinformimit dhe kjo është një betejë që duhet ta zhvillojmë të gjithë së bashku”, përfundoi ai.
