Backlogu në gjykata arrin në rreth 160 mijë dosje, Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrton shtimin e gjyqtarëve dhe rritjen e tarifave gjyqësore

Data

Problemi i backlogut në sistemin gjyqësor shqiptar vijon të mbetet alarmant, ndërsa numri i dosjeve të pashqyrtuara ka arritur në rreth 160 mijë çështje në të gjithë vendin.

Sipas raportimeve, grupi i punës pranë Këshilli i Lartë Gjyqësor ende nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare për reduktimin e stokut të dosjeve, pavarësisht mbledhjeve të vazhdueshme dhe konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë.

Në diskutimet e fundit është dëgjuar edhe eksperti serb Dimitrije Sujeranoviç, i cili ka qenë i përfshirë në menaxhimin e backlogut gjyqësor në Greqi.

Burime për mediat bëjnë me dije se në mbledhjen e 21 majit është hedhur në tavolinë ideja për rritjen e numrit të gjyqtarëve në sistem. Aktualisht parashikohen 417 gjyqtarë aktivë, ndërsa është propozuar shtimi i rreth 80 gjyqtarëve të tjerë për të përballuar ngarkesën.

Një tjetër opsion i diskutuar është edhe rritja e tarifave gjyqësore, me synimin për të ulur numrin e padive dhe për të frenuar mbingarkesën e sistemit.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi gjatë javës se ministria pret sugjerimet zyrtare të KLGJ-së për zgjidhjen e situatës, por pa dhënë afate konkrete se kur qytetarët mund të presin përmirësim në kohën e marrjes së drejtësisë.

Më herët janë propozuar edhe ndërhyrje ligjore, si shmangia e gjykatave për procedura të caktuara, ulja e dënimeve përmes procedurave administrative nga burgjet dhe zgjerimi i proceseve online.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar kontrolle tematike për të analizuar ndikimin që kanë pasur vakancat e krijuara nga procesi i Vettingut dhe performanca e magjistratëve në krijimin e stokut të çështjeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related