Kriza politike në Kosovë po thellohet, ndërsa përplasjet mes kryeministrit Albin Kurti dhe opozitës kanë çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja, pa garanci se ato do të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme institucionale.
Sipas një analize të Radio Evropa e Lirë, posti i presidentit — tradicionalisht me rol ceremonial — është kthyer në nyjën kryesore të krizës politike, pas dështimit për zgjedhjen e kreut të shtetit brenda afateve kushtetuese.
Zgjedhjet e 7 qershorit konsiderohen rezultat i një zinxhiri bllokadash politike: moszgjedhjes së presidentit, shpërndarjes së Kuvendit, bojkotimeve parlamentare dhe mungesës së kompromisit mes pushtetit dhe opozitës.
Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi mbi 51% të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, fajëson opozitën për krizën. Kurti ka deklaruar se “blloku opozitar” po vepron në mënyrë të koordinuar kundër qeverisë së tij.
“Të detyrosh qytetarët të shkojnë sërish në zgjedhje vetëm katër muaj pas votës plebishitare është e papranueshme”, është shprehur Kurti para mbështetësve të tij.
Nga ana tjetër, opozita akuzon Kurtin për mungesë kompromisi dhe përpjekje për dominim politik.
Kreu i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se Kurti “po kërkon nënshtrim dhe jo bashkëpunim”.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar Lumir Abdixhiku për kryeministër dhe Vjosa Osmani për presidente, duke e kthyer garën presidenciale në një element qendror të fushatës.
Analistët vlerësojnë se sistemi politik kosovar është ndërtuar mbi kompromisin dhe bashkëqeverisjen, ndërsa polarizimi aktual po e shtyn vendin drejt një cikli të përsëritur krizash dhe zgjedhjesh.
Sipas ligjëruesit Abit Hoxha, Kosova po funksionon tashmë si një “sistem në krizë të përhershme”, ku mungesa e marrëveshjeve politike po krijon stagnim institucional dhe humbje të mbështetjes ndërkombëtare.
Aktualisht, ushtruese e detyrës së presidentes është Albulena Haxhiu, por Kushtetuta nuk jep një zgjidhje të qartë në rast se brenda afatit gjashtëmujor nuk zgjidhet një president me mandat të plotë.
Vetë Kurti ka paralajmëruar se nëse pas zgjedhjeve të 7 qershorit nuk arrihet shumica e nevojshme parlamentare, Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të tjera në vjeshtë ose dimër.
