Gazetari Ilir Babaramo është shkarkuar nga drejtimi i emisionit “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report TV, një vendim që ai thotë se i është komunikuar nga pronari i medias, Carlo Bolino.
Sipas Babaramos, vendimi për largimin nga puna erdhi pas një telefonate në orët e vona të mbrëmjes, ku iu bë e qartë arsyeja e shkarkimit.
“Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë”, tregon gazetari se i është thënë, duke lënë të kuptohet për presione mbi përmbajtjen editoriale.
Në reagimin e tij publik, Babaramo thekson se bashkëpunimi me televizionin është ndërprerë në mënyrë të njëanshme dhe falënderon ata që, sipas tij, besojnë se “e vërteta nuk ka çmim”.
Rasti ka ngjallur reagime dhe pritet të nxisë debat mbi lirinë e medias dhe presionet ndaj gazetarëve në vend.
