Protesta e opozitës shqiptare e zhvilluar më 22 mars në Tiranë ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ku agjencia Reuters i ka kushtuar një raportim të detajuar.
Sipas Reuters, mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, në sfondin e akuzave për korrupsion ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Raportimi thekson se protesta u përshkallëzua në përplasje me policinë, pasi demonstruesit hodhën molotovë drejt institucioneve dhe automjeteve të policisë. Në përgjigje, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, ndërsa u angazhuan qindra efektivë dhe u bllokuan disa rrugë në qendër të qytetit.
Agjencia ndërkombëtare vëren se kjo protestë është pjesë e një serie demonstratash të opozitës, e cila ka paralajmëruar vijimin e aksionit kundër asaj që e konsideron korrupsion qeveritar.
Në këtë klimë, sipas Reuters, Shqipëria po përballet me tensione të vazhdueshme politike, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po e ndjek situatën nga afër për të vlerësuar ndikimin në stabilitetin e vendit.
