Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndërmarrë masa për monitorimin e protestës që do të zhvillohet pasditen e sotme përballë Kryeministrisë, e organizuar nga Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij.
Pavarësisht përplasjeve të mëparshme politike mes Endrit Shabanit dhe Adriatik Lapajt, Avokati i Popullit ka vepruar në përputhje me mandatin e tij kushtetues, duke ngritur një grup vëzhguesish për të ndjekur nga afër zhvillimet gjatë protestës dhe për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, një ekip i posaçëm i Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, edhe në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore. Ky angazhim synon të monitorojë çdo veprim pasues dhe të sigurojë që standardet ligjore të respektohen gjatë gjithë zhvillimit të protestës.
Institucioni thekson se do të vijojë ndjekjen e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në varësi të zhvillimeve në terren.
Kujtojmë se protestat e organizuara nga Adriatik Lapaj dhe simpatizantët e tij përballë Kryeministrisë kanë qenë të shoqëruara me tensione të herëpashershme, kryesisht për shkak të vendosjes së çadrave dhe tendave në trotuarin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit kanë qëndruar edhe gjatë natës.
