Kushtetuesja e la në qeli, reagon Ilir Beqaj: U deshën 7 muaj për vlerësimin e një mase sigurie

Data

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar nga qelia pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e tij për lirimin nga paraburgimi. Përmes një deklarate publike, të përcjellë nga avokati i tij, Beqaj e cilëson vendimmarrjen si të padrejtë dhe thekson se nuk iu dha asnjëherë mundësia të paraqiste argumentet e tij përpara trupës gjykuese.

Sipas Beqajt, Gjykata Kushtetuese ka marrë 7 muaj kohë për të shqyrtuar një masë sigurie, duke e humbur kështu funksionin e saj si garanci efektive për lirinë personale. Ai ngre pyetjen nëse ka kuptim që një vendim për masë sigurie të jepet 19 muaj pas vendimit fillestar, duke e cilësuar këtë si drejtësi të vonuar dhe jo funksionale.

Në reagimin e tij, Beqaj analizon edhe akuzat që rëndojnë mbi të, duke pretenduar se ato janë ndërtuar artificialisht për të justifikuar masën e “arrestit në burg”. Ai thekson se vetë vendimet e GJKKO-së dhe Apelit kanë pranuar se dyshimet për korrupsion pasiv bazohen vetëm në hamendje dhe se mungon një vlerë konkrete e përfitimit të paligjshëm.

Po ashtu, Beqaj vë në pikëpyetje kualifikimin e akuzës për mashtrim me pasoja të rënda, duke argumentuar se kriteret ligjore janë interpretuar gabim dhe se ndryshimet e fundit në Kodin Penal e bëjnë edhe më të qartë këtë fakt. Sipas tij, edhe akuza për shkelje të barazisë në tender është e pabazuar, pasi rregulloret e Bashkimit Europian nuk janë burim i së drejtës penale për një vend që nuk është ende anëtar i BE-së.

Ish-ministri kritikon gjithashtu procedurat e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se palët nuk kanë mundësi të dëgjohen drejtpërdrejt dhe se vendimet merren mbi baza formaliste. Ai shprehet se Gjykata Kushtetuese është kthyer në një “shkallë të katërt gjykimi”, duke humbur rolin e saj si gjykatë e ligjit dhe e lirive themelore.

Në përfundim, Beqaj i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që në arsyetimin e vendimit të saj të japë standarde të qarta ligjore, të cilat do të ndihmonin jo vetëm në rastin e tij, por edhe në unifikimin e praktikës gjyqësore në të ardhmen. Ai shpreh shpresën që vendimi i arsyetuar të jetë në lartësinë e rolit kushtetues të kësaj gjykate, si mbrojtëse reale e ligjshmërisë dhe e lirisë individuale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related