Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar lidhur me situatën në aksin Librazhd–Përrenjas, pas rrëshqitjes masive të ndodhur në zonën e njohur si “Arrat e Gurres”.
Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, Indrit Koleci, deklaroi se aktualisht nuk mund të përcaktohet një afat i saktë për stabilizimin e plotë të segmentit të dëmtuar, pasi në terren po vijojnë studimet dhe vlerësimet teknike.
“Afate nuk mund të themi, pasi kemi bërë relevim të zonës së poshtme të lumit dhe rilevim të shtratit të tij. Vazhdojmë studimet në pjesën e sipërme për stabilizimin e masës së rrëshqitjes. Janë volume të konsiderueshme,” u shpreh ai.
Sipas përfaqësuesit të ARRSH-së, brenda 3-4 ditëve pritet të ketë një pasqyrë më të qartë mbi kohëzgjatjen e ndërhyrjes dhe një afat paraprak për punimet.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë me dije se do të vijojnë masat e përkohshme të sigurisë dhe orientimin e qytetarëve drejt akseve alternative, deri në stabilizimin e plotë të zonës së prekur.
