“Hapet thirrja për financimin e projekteve”/ Ministrja Koçiu: Pasuritë nga krimi nuk do gëzohen dhe as do të trashëgohen

Data

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), pranë Ministrisë së Brendshme, ka hapur zyrtarisht thirrjen për financimin e projekteve që synojnë përdorimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në funksion të interesit publik.

Thirrja u drejtohet organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë mundësinë të aplikojnë për projekte me impakt social, duke shndërruar pasuritë e përfituara nga aktiviteti kriminal në shërbime konkrete për komunitetin.

Fondi total në dispozicion është 15 milionë lekë, i krijuar jo nga buxheti i shtetit apo taksat e qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara të krimit të organizuar, të cilat rikthehen në dobi të shoqërisë.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se pasuritë që burojnë nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të përdoren për të mbështetur shtresat në nevojë dhe për të forcuar drejtësinë sociale.

“Paratë dhe pronat që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie apo privilegji. Ato do të kthehen aty ku u përkasin, te fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës”, u shpreh ministrja Koçiu.

Sipas njoftimit zyrtar, fushat prioritare për financim përfshijnë:

  • rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë;
  • parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi;
  • asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;
  • trajtimin dhe rehabilitimin e përdoruesve të substancave narkotike;
  • mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;
  • asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 9 mars 2026.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related