Jorida Tabaku: “Rrugët që po shkërmoqen janë produkt i korrupsionit”

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi për situatën e rënduar infrastrukturore në juglindje të vendit, duke e cilësuar izolimin e zonave të tëra si pasojë të një politike të gabuar dhe të korruptuar në investimet publike.

Në një deklaratë publike, ajo theksoi se nga viti 2013 deri më sot janë shpenzuar rreth 3.8 miliardë euro për infrastrukturën rrugore dhe koncesionet, fonde që sipas saj kanë dalë nga buxheti i shtetit dhe nga taksat e qytetarëve.

“3.8 miliardë euro është kosto e infrastrukturës dhe rrugëve nga 2013 deri më sot. Një kosto që ka dalë nga xhepat e qytetarëve,” u shpreh Tabaku.

Sipas saj, vetëm prej vitit 2022 fondet vjetore për rrugët janë dyfishuar, duke arritur në rreth 400 milionë euro në vit. Megjithatë, ajo argumenton se rezultatet në terren nuk përputhen me nivelin e investimeve.

“Sot kemi rrugë të ‘florinjta’ që po shkërmoqen,” deklaroi deputetja, duke shtuar se me standardet mesatare të Bashkimit Europian do të ishte ndërtuar një autostradë e plotë nga veriu në jug, me ndikim real në zhvillimin ekonomik.

Tabaku e cilësoi modelin aktual të investimeve si “kosto e korrupsionit”, duke theksuar se dëmet po ndihen drejtpërdrejt nga fermerët, bizneset dhe qytetarët, për shkak të bllokimeve dhe dëmtimeve të akseve rrugore.

Ajo ngriti gjithashtu çështjen e përgjegjësisë politike për situatën aktuale, duke theksuar se infrastruktura është kthyer në një simbol të përqendrimit të pushtetit dhe interesave ekonomike në pak duar.

Reagimi i saj vjen në një moment kur problematika e investimeve publike dhe standardeve të punimeve është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related