Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar rreth 4 ton produkte bimore në një magazinë në zonën e Shkozës, pas një denoncimi nga qytetarët.
Gjatë kontrollit në subjektin “Merja”, inspektorët konstatuan 3,984 kg bimë të thata të ambalazhuara në thasë plastikë, të cilat nuk kishin etiketim dhe nuk përmbanin asnjë informacion mbi origjinën, përbërjen apo afatin e përdorimit.
Si pasojë, AKU vendosi bllokimin e menjëhershëm të gjithë sasisë, ndërsa ndaj subjektit u vendosën edhe masa administrative: një gjobë prej 200 mijë lekësh për mungesë gjurmueshmërie dhe një tjetër prej 100 mijë lekësh për moszbatim të sistemit të vetkontrollit.
AKU thekson se kontrollet do të vijojnë dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast që cenon sigurinë ushqimore.
