Autoritetet greke kanë nisur hetimet pas zbulimit të trupit të pajetë të një gruaje brenda një valixheje të braktisur në zonën e Kypselit, në Athinë.
Sipas mediave greke, ngjarja u zbulua pasditen e së shtunës, më 18 korrik, në rrugën Evelpidon, pasi një person i pastrehë njoftoi policinë për praninë e një valixheje të dyshimtë në një ndërtesë të braktisur.
Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët e Policisë Helenike konstatuan se brenda valixhes ndodhej trupi i një gruaje në gjendje të avancuar dekompozimi. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për identifikimin e saj dhe përcaktimin e rrethanave të vdekjes.
Në vendngjarje kanë punuar ekipet e policisë shkencore dhe ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët kanë mbledhur provat e nevojshme. Ekspertiza pritet të përcaktojë kohën dhe shkakun e vdekjes.
Sipas një banori të zonës, ndërtesa ku u gjet valixhja ishte përdorur më parë si strehë nga persona të pastrehë, por ishte mbyllur pas një zjarri të ndodhur rreth dy vite më parë. I njëjti burim ka deklaruar se javët e fundit kishte vënë re praninë e një personi të pastrehë në zonë, i cili nuk ishte parë ditët e fundit.
Hetimet janë marrë në dorë nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, ndërsa autoritetet greke vijojnë veprimet për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
