Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja njoftoi se, u hapën aplikimet për trajtimin me kredi të lehtësuar, 0% interes, për blerjen e banesës për 300 punonjës të administratës publike. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ministri kujtoi se, aplikantët duhet të jenë të punësuar në institucionet e administratës publike, sipas kategorive të mëposhtme:
- Ministria e Brendshme;
- Ministria e Mbrojtjes;
- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
- Ministria e Arsimit dhe Sportit;
- Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social;
- Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kategoritë
Sipas vendimit, do të jenë përcaktuese në renditjen e aplikuesve: mosha, përvoja e punës në administratë dhe kategoria e pagës. Përparësi do u jepet atyre që janë më të rinj (jo më shumë se 40 vjeç), mbi një ose dy vite përvojë pune si dhe kategoritë e ulëta të pagave. Përfitues do jenë arsimtarë, mjekë, infermierë, policë, ushtarakë, punonjës të gardës, veterinerë, artistë e të tjerë.
Në total janë 300 kuota ose kredi me zero interes, 90 prej të cilave do të jepen për Ministrinë e Brendshme, 90 për Ministrinë e Mbrojtjes, 30 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 30 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, 45 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 15 për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. I punësuari në administratën publike që plotëson kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta të përmendura, fillimisht duhet që të paraqesë kërkesën për kredi të lehtësuar pranë institucionit ku është i punësuar.
Do të jetë titullari i institucionit të administratës publike që do të hartojë listën me të punësuarit e institucionit që plotësojnë kriteret për të përfituar nga ky program i strehimit social, të cilën ia përcjell për miratim ministrit përgjegjës që mbulon institucionin ose Kryeministrisë, brenda kuotave të miratuara në total për këtë program.
Dokumentet
Por cilat janë dokumentacionet e nevojshme që duhen për të kryer aplikimet? Dokumenti kryesor është kopja e certifikatës së pronësisë për banesën që ka në pronësi nën normat e strehimit, së bashku me rivlerësimin e banesës, nëse ka pasuri të paluajtshme në pronësi. Një nga dokumentet kryesore është dhe vërtetimi negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që në që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Si dhe një marrëveshje noteriale për bashkëjetuesin apo bashkëjetuesen nëse kanë. Gjithashtu për aplikantët e punësuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do duhet një vërtetim që punonjësi është i punësuar me kohëzgjatje të pacaktuar në institucionet publike të arsimit parauniversitar. Afati i fundit i aplikimit do të jetë data 14 gusht 2024 në orën 9 paradite.
