Importet rriten, çmimet jo: Ushqimet hyjnë më lirë, shiten më shtrenjtë

Data

Varësia e Shqipërisë nga ushqimet e importuara po rritet ndjeshëm, ndërsa paradoksi i çmimeve po thellohet: ushqimet hyjnë në vend më lirë, por përfundojnë më shtrenjtë në raftet e dyqaneve. Të dhënat zyrtare tregojnë se në pesë vitet e fundit importet e ushqimeve janë rritur me rreth 23%, ndërkohë që çmimi mesatar për kilogram ka shënuar rënie.

Në vitin 2025 u importuan mbi 1.35 milionë tonë ushqime, nga rreth 1.09 milionë tonë në vitin 2020. Rritja e sasisë është e qëndrueshme nga viti në vit, e nxitur nga rënia e prodhimit vendas, rritja e konsumit urban dhe fluksi i lartë i turistëve. Ndërkohë, çmimi mesatar për kilogram ushqim importi ka rënë ndjeshëm krahasuar me kulmin e vitit 2022, duke u ulur në rreth 120 lekë për kg.

Kjo rënie e kostos së importit është favorizuar edhe nga kursi i këmbimit, me euron që ka qëndruar në nivele të ulëta, duke e bërë blerjen e mallrave nga jashtë më të lirë për importuesit. Megjithatë, ky lehtësim nuk është reflektuar për konsumatorët, të cilët vijojnë të përballen me çmime të larta për ushqimet bazë.

Në praktikë, ndërsa Shqipëria po blen më lirë në tregjet ndërkombëtare, po shpenzon më shumë për shkak të rritjes së fortë të sasive të importuara. Kjo prirje po e bën ekonominë gjithnjë e më të varur nga furnizimi i jashtëm dhe më të ekspozuar ndaj luhatjeve të tregjeve globale.

Një pjesë e madhe e importeve vjen nga vende me kosto më të ulëta prodhimi, si Turqia, vendet e Ballkanit dhe Amerika Latine. Në të njëjtën kohë, prodhimi vendas mbetet i penalizuar nga kostot e larta, mungesa e mbështetjes dhe konkurrenca e fortë nga produktet e huaja, duke humbur terren në tregun vendas.

Rezultati është i qartë: konsumatori shqiptar paguan më shumë, fermeri vendas prodhon më pak, ndërsa zinxhiri tregtar përfiton nga diferenca mes çmimit të importit dhe atij të shitjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related