Ashtu siç gazeta e ka paralajmëruar këto ditë, kryeministri Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste njoftoi dje ndryshime në qeveri, me tre prurje të reja në kabinet. Ata janë Ervin Hoxha, Petrit Malaj dhe Pirro Vëngu. Kështu Taulant Balla nuk do të jetë më ministër i Brendshëm, por ai do të marrë postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin. Zoti Balla largohet nga si ministër i Brendshëm dhe do të marrë karrigen e Elisa Spiropalit, e cila u emërua kryetarja e re e Kuvendit. Ndërkohë, dikasterin e Ministrisë së Brendshme do ta drejtojë tani Ervin Hoxha, kreu i IKMT. Sakaq një emër i ri në kabinetin Rama, është e emri i Pirro Vëngut, drejtori i Autoritetit Portual Durrës, që do të zëvendësojë në detyrë Niko Peleshin si Ministër i Mbrojtjes.
Zoti Peleshi do të marrë postin e kreut të grupit parlamentar të PS. Po ashtu, edhe ministri i Financave, Ervin Mete do të largohet nga detyra dhe vendin e tij do ta marrë Petrit Malaj që ka mbajtur postin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN). Ndërkaq Bledi Çuçi është larguara nga kreu i grupit socialistë, teksa pritet të marrë postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke zëvendësuar në këtë detyrë deputeten e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj. “Do i propozoj grupit që në seancë të menjëhershme ti japim mbështetje Spiropalit për të marrë drejtimin e parlamentit. Do propozoj Bledi Çuçin nënkryetar, Peleshi kreu i grupit të PS. Sot menjëherë pas këtij takimi i çoj presidentit propozimet për ndryshimet në qeveri, Balla ministër për marrëdhëniet me parlamentin, ministër i Brendshëm, Ervin Hoxha, i Financave, Petrit Malaj dhe i mbrojtjes Pirro Vëngu”, deklaroi Rama.
Ndërkohë sikundër e paralajmëroi gazeta , Parlamenti do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme në orën 18:00 për të dekretuar ministrat e rinj, të cilët thuhet se janë njerez të zv/kryeministres Belinda Balluku. Kjo seancë erdhi si shkak i ndryshimeve që kryeministri Rama bëri dje në Kongresin e PS-së, emra të cilët preferoi t’ia çonte për dekretimin presidentit Bajram Begaj personalisht, me të cilin dje pas Kongresit pati një takim në Presidencë. Sakaq në seancën e së hënës, pritet të votohet kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Kush është Pirro Vengu?
Pirro Vengu do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes pas ndryshimeve në qeveri të bëra të ditura dje nga kryeministri Rama në Kongresin e PS. Vengu do të zëvendësojë Niko Peleshin që mbante këtë post prej janarit të 2021, ndërsa tani e tutje do të jetë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Vengu deri tani ka mbajtur postin e Drejtorit të Portit të Durrësit që nga viti 2019, pasi zëvendësoi në këtë post Agron Tare. Gjithashtu ai ka pasur edhe disa poste të tjera gjatë viteve të qeverisjes Rama. Vengu ka qenë shefi i kabinetit në Ministrinë e Jashtme gjatë qeverisjes “Rama 1” (2013-2017), në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Ditmir Bushati dhe duke qenë se mban edhe pasaportën greke, atij i erdhi ftesë nga shteti fqinj për ushtar, ftesë të cilën ai e refuzoi. Sakaq, Vengu ka mbajtur postin e Drejtorit të Antikorrupsionit në Kryeministri, nga 2017 në 2019.
Kush është Petrit Malaj?
Petrit Malaj do të jetë ministri i ri i Financave propozuar dje nga kryeministri Rama në Kongresin e Partisë Socialiste. Ai aktualisht mban postin e drejtorit te AKBN. Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Ëisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetoën, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë. Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.
Kush është Ervin Hoxha?
Nga ana tjetër, në postin e ministrit të Brendshëm është vendosur Ervin Hoxha, i cili prej nëntorit të 2023, mbante postin e drejtorit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Ervin Hoxha ka lindur në Tiranë më 13.10.1978. Arsimin e mesëm 4 vjeçar e kreu në Shkollën Teknike të Përgatitjes së Nënoficerëve, (Teknik Astsubay Hazirlama Okulu) në Balikesir, Turqi. Më tej vazhdoi Akademinë e Lartë të Sigurisë (Offizier Schule des Herres) në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 përfundoi ciklin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Arsimin pasuniversitar e përfundoi me sukses në Shkollën e Lartë të Policisë Gjermane (Deutsche Hochschule der Polizei), duke fituar titullin M.A në Administrim Publik dhe Menaxhim Policor. Ka ndjekur trajnime të certifikuara në nivelin e lartë të drejtimit dhe menaxhimit në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në SHBA, Austri, Gjermani, etj.
