Këlliçi sulmon Ramën për Zvërnecin: Kryeministri i korruptuar në palcë, transparencën që nuk e bën ai do ta bëjmë ne

Data

Anëtari i drejtues i Partia Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën në Zvërnec dhe protestat kundër projektit turistik në këtë zonë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi akuzoi Ramën se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për ngjarjet e fundit, duke ia faturuar fajin vetëm kompanisë private të sigurisë që u përfshi në incidentet me protestuesit.

“Edi Rama nuk shpëton dot pas rojes së sigurisë. Dhunuesi dhe plaçkitësi i këtij vendi është vetë ai”, shkruan Këlliçi.

Sipas tij, ndryshimi i tonit të kryeministrit në deklaratën e sotme erdhi vetëm pasi revolta qytetare arriti deri pranë institucioneve qeveritare.

“Kur protesta dhe revolta i shkoi te zyra, ai ndryshoi fjalimin. Bëri viktimën dhe të përulurin, duke kërkuar të ruajë pushtetin dhe lëkurën e tij politike”, thekson Këlliçi.

Ai ngriti pikëpyetje edhe për mungesën e transparencës së qeverisë mbi projektin në Zvërnec, duke pretenduar se informacionet për investimin nuk janë bërë publike në kohën e duhur.

“Pse nuk bëri transparencë më herët kur qytetarët dhe mediat e kërkonin? Pse e trajtoi këtë çështje si pronë personale deri dje?”, pyet ai.

Në reagimin e tij, Këlliçi e cilëson Ramën si përgjegjës politik për klimën e tensionit dhe konfliktit që, sipas tij, është krijuar në vend.

“Dhunuesi në Zvërnec nuk është vetëm një polic privat. Dhunuesi është Edi Rama, sepse ai është frymëzuesi i arrogancës dhe i goditjes së qytetarëve. Ai është rreshtuar gjithmonë në krah të oligarkëve dhe kundër interesit publik”, deklaron Këlliçi.

Në përfundim, përfaqësuesi i opozitës paralajmëroi se Partia Demokratike do të vazhdojë të kërkojë sqarime për projektin dhe do të publikojë, sipas tij, detaje që qeveria nuk i ka bërë ende transparente.

“Transparencën që nuk e bën Edi Rama, do ta bëjmë ne. Shihemi sot në Kuvend”, përfundon reagimi i Këlliçit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related