Apeli i GJKKO tërhiqet dhe pret Kushtetuesen për Ballukun, Klodiana Lala: Pezullimi nga detyra mbetet pezull, pasaporta dhe ndalimi i daljes jashtë vendit konfirmohen

Data

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të mos marrë ende një vendim për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke zgjedhur të presë vendimin përfundimtar që pritet më 22 janar nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas gazetares Klodiana Lala, Apeli i GJKKO ka pezulluar shqyrtimin e kësaj pike, pasi çështja e kompetencës për pezullimin e një ministri është aktualisht në shqyrtim themeli nga Kushtetuesja, pas ankimit të Kryeministrisë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masat shtrënguese të vendosura nga SPAK, duke konfirmuar:

  • ndalimin e daljes jashtë vendit për Belinda Ballukun
  • bllokimin e pasaportës së saj

Këto masa mbeten aktive për zyrtaren e lartë, e cila është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera në aferën e Tunelit të Llogarasë, si dhe nën hetim për procedurat e Unazës së Madhe të Tiranës, projekte me vlerë qindra milionë euro.

Avokati i Ballukut, Ardian Kalija, ka konfirmuar se Apeli nuk ka rrëzuar asnjë nga masat ndaluese, por vetëm ka shtyrë vendimmarrjen për pezullimin nga funksioni publik deri në vendimin përfundimtar të Kushtetueses.

Sipas burimeve, nëse Gjykata Kushtetuese vendos se një ministër mund të pezullohet nga detyra me vendim gjykate, atëherë Apeli i GJKKO do të mblidhet sërish për të shqyrtuar këtë masë konkrete ndaj Ballukut.

Për momentin, Apeli ka sqaruar se nuk mund të marrë vendime për çështje që janë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, por ka vlerësuar si të ligjshme dhe të argumentuara masat e ndalimit të udhëtimit jashtë vendit dhe bllokimit të pasaportës.

Në mbrojtje të saj, Balluku përfaqësohet edhe nga Pamela Qirko, motra e saj, ish-anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë procesit të Vettingut.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka marrë më herët një vendim 5 me 3, duke pezulluar përkohësisht vendimin e GJKKO dhe duke e rikthyer Ballukun në detyrat qeveritare deri në shqyrtimin në themel të çështjes më 22 janar.

Ndërkohë, SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut, një hap që i hap rrugë arrestimit të saj, me argumentin se ekzistojnë prova për intimidim dëshmitarësh dhe rrezik për prishje provash.

Ditën e nesërme, më 19 dhjetor, pritet të mblidhet edhe Këshilli i Mandateve në Kuvend, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, në një proces që pritet të prodhojë zhvillime të forta politike dhe institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related