Prokuroria e Apelit ka kërkuar prishjen e vendimit të pafajësisë për këngëtarin dhe aktorin shkodran Luiz Ejlli, duke e çuar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Ejlli ishte dënuar në shkallën e parë me 1 vit burg për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, por më 8 maj 2025 Gjykata e Apelit vendosi ta shpallë të pafajshëm. Kundër këtij vendimi, organi i akuzës ka ushtruar rekurs.
Dosja tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë, ku relator i çështjes është caktuar gjyqtari Sokol Binaj.
Në të njëjtin proces ishte i përfshirë edhe Fatmir Avdurramani, i cili sipas dosjes kishte përfituar nga akti i kryer, në një periudhë kur Ejlli nuk ushtronte funksionin e noterit, por kishte përdorur vulën. Avdurramani rezulton me precedentë penalë në Itali dhe më herët i janë sekuestruar e konfiskuar pasuri në Shqipëri.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Lartë për fatin përfundimtar të çështjes.
