Vladimir Mulaj: Nuk e prisja përjashtimin nga gara për kreun e PD, komisioni abuzoi me statutin

Data

Vladimir Mulaj, i cili synonte të kandidonte për kreun e Partia Demokratike, ka reaguar pas përjashtimit nga gara, duke deklaruar se vendimi i komisionit ishte i papritur dhe i pabazuar në statut.

Në një intervistë televizive, Mulaj tha se kishte besuar se çdo anëtar i PD-së kishte të drejtë të kandidonte sipas parimit “një anëtar, një votë”.

“Nuk e prisja, pasi kam menduar që statuti e përcakton shumë qartë sesi zgjidhet kryetari dhe cilat janë kriteret. Kandidati zgjidhet nga parimi një anëtar, një votë dhe sipas statutit ka të drejtë të kandidojë çdo anëtar”, u shpreh ai.

Mulaj akuzoi komisionin organizator se ka interpretuar në mënyrë të gabuar termin “modalitete”, duke vendosur kritere që sipas tij janë të paqarta dhe subjektive.

“Fjala ‘modalitet’ është abuzuar nga komisioni. Në termin juridik nënkupton mënyrën e organizimit të votimit, jo vendosjen e kritereve evazive dhe relative për kandidatët”, tha Mulaj.

Ai shtoi se përjashtimi i tij “lë për të dëshiruar”, sidomos pas përvojës dhe angazhimit të tij ndër vite.

“Në këtë moshë dhe me këtë përvojë, të thuhet se nuk je i aftë të kandidosh, lë për të dëshiruar”, deklaroi ai.

Sa i përket garës së mbetur vetëm me kandidaturën e Sali Berisha, Mulaj u shpreh se vetë koncepti i garës kërkon të paktën dy kandidatë.

“Vetë fjala garë tregon që duhet të jenë minimumi dy kandidatë. Koha do ta tregojë nëse ky ishte veprimi i duhur apo jo”, tha ai.

Mulaj theksoi se kandidimi i tij kishte si synim bashkimin e PD-së dhe jo krijimin e përçarjeve.

“Jam njeri bashkues, jo konfliktual. Me energjitë dhe aftësitë e mia do ta bashkoja partinë shumë shpejt”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related