Policia e Lezhës ka proceduar penalisht tre persona gjatë 24 orëve të fundit, të dyshuar për trafikim mjetesh motorike dhe mbajtje të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj I. M., 38 vjeç, banues në fshatin Fierzë, dhe M. C., 54 vjeç, banues në Lezhë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se dy të dyshuarit kishin trafikuar në Shqipëri një motomjet, i cili ishte raportuar i vjedhur në Belgjikë. Motori u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, shërbimet e Zyrës për Hetimin e Narkotikëve nisën procedim penal edhe për Xh. P., 31 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua.
Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë vendore, për vijimin e hetimeve dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
