Donacionet dhe sponsorizimet në Shqipëri pritet t’i nënshtrohen një sistemi të ri kontrolli dhe transparence. Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri, i cili synon të rregullojë në mënyrë të detajuar këto forma financimi dhe të mbyllë boshllëqet ligjore që kanë ekzistuar deri më tani.
Projektligji bën për herë të parë një ndarje të qartë mes donacionit dhe sponsorizimit. Donacioni përkufizohet si mbështetje vullnetare pa përfitim financiar apo promovues për dhuruesin, ndërsa sponsorizimi konsiderohet marrëdhënie kontraktuale, ku sponsorizuesi përfiton të drejtën e reklamimit dhe promovimit të emrit apo aktivitetit të tij.
Një nga risitë kryesore të draftit është krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar për Donacionet dhe Sponsorizimet. Ky regjistër do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe do të jetë i aksesueshëm online. Për donacionet dhe sponsorizimet që u jepen organeve publike, të dhënat do të jenë të hapura për publikun, median dhe shoqërinë civile, duke garantuar transparencë të plotë.
Ndërkohë, për sponsorizimet e organizatave jofitimprurëse dhe subjekteve private, akses në regjistër do të kenë vetëm organet tatimore dhe ligjzbatuese.
Projektligji parashikon që çdo donacion për institucionet publike mbi vlerën 500 mijë lekë, si dhe të gjitha sponsorizimet pa përjashtim, të regjistrohen detyrimisht në regjistrin elektronik. Po ashtu, ndalohet dhënia e donacioneve nga persona të dënuar për korrupsion, pastrim parash apo evazion fiskal.
Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet do t’i nënshtrohen kontrollit financiar, ndërsa për shkeljet parashikohen masa ndëshkuese me gjoba që variojnë nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë.
Shqipëria ka miratuar ligjin e parë për sponsorizimet që në vitin 1994, por ky ligj nuk përfshinte donacionet dhe nuk garantonte standarde të mjaftueshme transparence dhe masa antikorrupsion. Projektligji i ri synon të zgjerojë fushën e zbatimit dhe të forcojë integritetin në përdorimin e fondeve të dhëna për veprimtari publike.
