Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbrojtur kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke ngritur shqetësime për ndërhyrje në procesin hetimor.
Prokurorët Dritan Prençi, Dorina Bejko dhe drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, deklaruan se gjatë hetimeve janë konstatuar tentativa intimidimi ndaj dëshmitarëve. Sipas tyre, përveç personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale, presione janë ushtruar edhe nga zyrtarë publikë.
“Përveç personave të fortë, të dyshuar të përfshirë në krim, intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtarë publikë, pjesë e kabinetit të ministres, që kanë kërcënuar apo tentuar të korruptojnë dëshmitarët,” mësohet të kenë deklaruar prokurorët në mbledhje. Ata shtuan se nuk mund të japin më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.
Nga ana tjetër, anëtari i Këshillit të Mandateve nga mazhoranca, Ulsi Manja, u shpreh se masat aktuale të sigurisë janë të mjaftueshme për vijimin e hetimit, duke lënë të hapur debatin mbi nevojën për arrestimin e saj.
Vendimi i Këshillit pritet të përcaktojë nëse do t’i hapet rrugë Kuvendit për votimin mbi kërkesën e SPAK.
