Hetimet e SPAK për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi e-Albania dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit pritet të sjellin zhvillime të forta dhe zbardhje me ndikim të gjerë, thotë eksperti i IT-së, Erion Demiri.
Sipas tij, problemi kryesor nuk lidhet vetëm me sulmet kibernetike, por me vetë modelin e menaxhimit të të dhënave shtetërore. Demiri e cilëson gabim strategjik centralizimin e informacionit të të gjitha institucioneve publike në një strukturë të vetme, si AKSHI, duke e bërë sistemin më të cenueshëm dhe më të rrezikuar nga abuzimet.
Eksperti thekson se një nga sulmet më serioze kibernetike ndaj sistemeve shtetërore ka ndodhur në verën e vitit 2022, ndërsa shton se raste të tilla nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara, por kërkojnë hetim të thelluar dhe të gjithanshëm.
Duke folur për përdorimin e të dhënave personale, Demiri rikujton debatet e vazhdueshme mbi shfrytëzimin e tyre për qëllime elektorale. Sipas tij, është e pamundur që një abuzim i tillë të kryhet nga një individ i vetëm, pa dijeninë apo miratimin e strukturave drejtuese.
“Ajo që është diskutuar shpesh ka të bëjë me përdorimin e të dhënave në fushata zgjedhore. Nuk ka asnjë dyshim se këto veprime nuk mund të jenë kryer nga një person i vetëm, pa dijeninë e drejtuesve”, u shpreh Demiri.
Ai shton se hetimet e SPAK pritet të zbulojnë jo vetëm përgjegjësi individuale, por edhe mënyrën se si është ndërtuar dhe keqmenaxhuar arkitektura e sigurisë së të dhënave shtetërore ndër vite.
