Amerikanët reagojnë për aferën e mbetjeve toksike dhe bëjnë paralajmërimin e fortë: Transporti i ‘hirit helmues’ nga…

Data

Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura. Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit. Organizata jo qeveritare amerikane “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” i tha “Zërit të Amerikës”, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle

Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha “Zërit të Amerikës” se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë. “Para një muaji, ne krijuam një portal, ku individë nga e gjithë bota mund të raportojnë për mbetjet helmuese. Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit. Ai kishte njohuri se ku shkonte pluhuri helmues dhe dokumentet që tregonin rrugëtimin e ngarkesave”, tha ai. Pas marrjes së të dhënave BAN-i thotë se ka kryer hulumtimin e veta dhe arrin në përfundimin se dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga porti i Durrësit. “Ne ishim në gjendje të konfirmojmë se kontejnerët që raportoi sinjalizuesi, numrat e tyre identifikues, i vërtetuam përmes aplikacionit ‘Google Earth’ , po ashtu përmes imazheve satelitore të Google Earth, lokalizuam vendndodhjen e tyre të saktë duke e krahasuar me dritat dhe rrugët e portit. Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme.

Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj”, theksohet më tej. Hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës ‘Sokolaj’ e cila e ka blerë atë nga fabrika e kompanisë Kurum në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, firma Sokolaj deri në përgatitje e këtij materiali nuk ka kthyer përgjigje. Firma turke Kurum, në një deklaratë të bërë më 21 gusht, ndonëse nuk jep sqarim të saktë nëse është ajo shitësja e kësaj lënde, thotë se “Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”. Zoti Puckett thotë se eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi, ngre dyshime që ai nuk vjen vetëm nga fabrika e Kurimit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit EAF.

“Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës. Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin atë qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet. Po ashtu edhe zinku që nxirret prej tij nuk është aq i vlefshëm”, thotë zoti Puckett. Sipas të dhënave që sinjalizuesi i dha Rrjetit të Aksionit të Bazelit, rasti i fundit ishte në muajin korrik, kur material i dyshimtë fillimisht u ngarkua në kontejnerë në Portin e Durrësit. Pasi largohet nga porti i Durrësit, kontejnerët udhëtojnë drejt portit të Triestes, në Itali. Aty kontejnerët ngarkohen në dy anije të tjera transportuese, që i përkasin firmës daneze ‘Maersk’.

Prej portit italian, përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës malli u nis fillimisht për në Singapor, prej nga do të vazhdonte rrugën për në destinacionin e tij përfundimtar, Tajlandën. Ndërsa malli lundronte në mes të ujërave të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut, një nga dy anijet që e transportonin atë u zhduk nga radarët. BAN-i thotë se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ata ngritën shqetësimin se një ngarkesë me pluhur helmues po transportohej nga Shqipëria për në Azi.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related