Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ftoi të enjten sipërmarrjet botërore që të prodhojnë produktet e tyre në SHBA dhe u premtoi atyre taksa më të ulëta, por paralajmëroi se nëse zgjedhin që të prodhojnë mallrat diku tjetër, do të duhet të paguajnë tarifa për t’i eksportuar ato në Shtetet e Bashkuara.
“Amerika është rikthyer dhe është e hapur për biznes”, u tha Presidenti Trump, përmes një video-lidhjeje nga Uashingtoni, udhëheqësve të korporatave në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
“Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë: Ejani dhe prodhoni mallin në Amerikë dhe ne do t’ju ofrojmë taksat më të ulëta në botë”, tha zoti Trump. “Por nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, që është e drejta juaj, atëherë, shumë e thjeshtë, do të duhet të paguani një tarifë”.
